Kanë mbetur edhe disa javë për të pritur që Paul Pogba të kthehet te Juventusi. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, ardhja e tij te “Zonja e Vjetër” është e përcaktuar mirë, sepse vendimi është marrë disa kohë më parë dhe nuk është vënë kurrë në dyshim, pavarësisht zërave për një ndërhyrje të PSG.
Francezi do të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare, në mënyrë që të vendoset në qendër të projektit të ciklit të ri. Paga e tij do të jetë 8 milionë euro neto, plus bonuse që mund ta çojnë atë në 10 milionë neto. Paga bruto do të peshojë “vetëm” 15 milionë, falë Dekretit të Rritjes.
Pogba do të jetë i Juventusit nga fillimi i korrikut, pasi me 30 qershor i skadon kontrata me United. Një rikthim aty ku kampioni i botës më 2018 shkëlqeu dhe e gjeti veten më mirë se kudo tjetër.
Disa ditë më parë e ka “bekuar” rikthimin eventual të francezit flamuri më i madh dhe i gjallë në historinë e Juventusit, Alessandro Del Piero, i cili dha këndvështrimin e tij për këtë çështje në një intervistë për ‘Espn’:
“Unë mendoj se Juve do të bënte goditje duke marrë përsëri Pogba, sepse ai është lojtari i duhur për të ndihmuar Vlahovicin në sulm me futjet e tij në sulm, por edhe për të mbrojtur repartin e pasmë që ka humbur një kolonë si Chiellini.
Ndryshimi duhet të jetë te motivimi i Paul dhe ndërgjegjësimi i tij për të marrë një rol shumë të ndryshëm në krahasim me atë të ciklit të tij të parë te Juve. Gjithçka do të varet nga ajo që Pogba dëshiron të bëjë. Nëse dëshiron të kthehet në një klub ku është i dashur nga tifozët dhe i gjithë mjedisi, Juve është zgjedhja e duhur. Nëse dëshiron të luftojë menjëherë për të fituar Champions League, do të duhet të zgjedhë një ekip tjetër. Sigurisht që konteksti do të jetë shumë i ndryshëm, sepse në ciklin e parë te Juve ai ishte i ri dhe i mbrojtur nga lojtarë si Pirlo e Marchisio. Këtë herë do të ishte e kundërta, do t’i takonte Paul-it të merrte përgjegjësinë për t’i rritur shokët e skuadrës. Megjithatë, besoj se te Manchester United është rritur nga ky këndvështrim, si njeri dhe si lojtar”.