Holanda fiton edhe ndeshjen e tretë në Grupin A ndaj organizatorëve të Ekuadorit duke e mbyllur grupin në kuotën e shtatë pikëve. Tulipanët nuk hasën vështirësi dhe e mbyllën fazën e grupeve me një fitore 2-0, teksa golat u shënuan nga Cody Gakpo në pjesën e parë dhe mesfushori Frenk De Jong në fraksionin e dytë.
Katari rezistoi deri në minutën e 26-të, por një aksion model me pjesëmarrjen e Depayt dhe Klaassen, u përmbyll bukur nga talenti i “Tulipanëve” që konfirmoi formën e shkëlqyer në këtë Botëror. Për Gakpo ishte goli i tretë në këtë Botëror teksa 23-vjeçari është padyshim lideri i formacionit të trajnerit Louis Van Gaal.
Ndërkohë, në fraksionin e dytë, Holanda vendosi në “kasafortë” suksesin duke qenë se shënoi në minutën e 57-të golin e dytë me anë të Frenkie De Jong që u tregua më i shkathët se kundërshtarët në zemër të mbrojtjes.
Kështu, Holanda merr kualifikimin për në fazën e 1/8-tave aty ku e pret një përballje me vendin e dytë të Grupit B. Nga ana tjetër, Katari e mbyll këtu pjesëmarrjen në Botërorin e shtëpisë duke u larguar pa asnjë pikë në tre ndeshje, i pari vend organizator që regjistron një rekord kaq negativ.
Koulibaly çon Senegalin në parajsë, afrikanët mundin Ekuadorin dhe kualifikohen
Senegali fiton “finalen” me Ekuadorin dhe kualifikohet për në turin tjetër si skuadra e dytë në renditje në Grupin A.
Kombëtarja afrikane mposhti me rezultatin 2-1 Ekuadorin që nga ana e saj kishte edhe mundësinë për t’u kualifikuar me anë të barazimit.
Por, Senegali ishte më bindës në fushë dhe e kërkoi vazhdimisht golin, të cilin në fakt e gjeti vetëm në fundin e pjesës së parë me anë të Ismaila Sarr që shënoi në minutën e 44-të nga goditja e penalltisë. Në fraksionin e dytë, ishte e pritshme që Ekuadori të kërkonte golin e barazimit. Në fakt, amerikano-latinët e gjetën rrugën e rrjetës me anë të Caicedos në minutën e 67-të, por festa zgjati pak.
Ishte Kalidu Koulibaly që vetëm tre minuta më pas riktheu të tijtë në avantazh. Një avantazh të cilin afrikanët e ruajtën me fanatizëm deri në fundin e lojës dhe me gjashtë pikë marrin kështu kualifikimin e shumëdëshiruar për në raundin tjetër, atje ku do të presin fituesin e Grupit B. Ndërkohë, Ekuadori eliminohet edhe pse me katër pikë dhe pasi zhvilloi një edicion pozitiv.