Vrasja e trefishtë në Memaliaj dyshohet se është kryer për hakmarrje, e cila e ka zanafillën në vitin 2022 kur kanë nisur edhe përplasjet mes dy grupeve dhe kanë marrë deri më tani 7 jetë njerëzish nga Athina në Tiranë.
Më 11 qershor 2022, Aleksandër Sadikaj, kushëri me familjen Kalemi vritet në një shpërthim me telekomandë. Sadikaj, i njohur me nofën Sanço, po lëvizte me makinë në aksin e njohur si Sauk-TEG. Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.
6 muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot Edmond Papa. Vrasja, kjo e dyshuar si hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për ekzekutimin e tij i arrestuar është shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andrew Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.
Ndërkohë dy ditë pas vrasjes së Papajt në Tiranë, në 18 dhjetor 2022, dy shqiptarë të tjerë Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç, janë ekzekutuar me armë zjarri në një lokal në Athinë.
Pas vrasjes së Edmond Papës, fillojnë atentatet ndaj familjes Kalemi. Më 9 gusht 2023 Andrea Kalemi i shpëton atentatit në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij.
Ndërsa më 14 dhjetor 2023 Andrea Kalemi plagoset me thikë në burgun “Koridhalos” në Greqi. Autori sipas mediave greke kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.
Më 8 janar 2024 Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dorëzon në gjykatë dosjen penale ndaj Andrew Bodes dhe Albano Velos.
Prokuroria thotë se Papa dyshohet se u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.
4 ditë më pas Më 12 janar, tentohet të vritet vëllai i Andrea Kalemit. Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes pranë zonës së Selitës, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt Smartit me të cilin po udhëtonte Zamir Kalemi. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk kapi organe jetike, ai u plagos vetëm në këmbë.
Pas afro 7 muaj qetësie, duket se plani për hakmarrje ka vijuar duke vendosur si objektiv babain dhe xhaxhain e Andrea Kalemit.
Breshëria e plumbave të derdhur në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Shyqo Kalemi, i morën jetën këtij të fundit, la të plagosur vëllain e tij Arturin, si edhe la të vdekur edhe kamarien e lokalit dhe një klient tjetër, të pafajshëm në gjithë këtë histori hakmarrjeje./Ora News