EUROPOL njofton se ka goditur një tjetër veprimtari kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik, teksa këtë herë janë shkatërruar 12 call centera gjatë një operacioni të koduar “Pandora”.
Sipas EUROPOL, ky aksion u zhvillua në Gjermani, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Liban dhe Kosovë. Këto qendra u identifikuan si burime të mijëra telefonatave mashtruese në ditë ndërsa punonjësit përdorën një gamë të gjerë taktikash, duke filluar nga thirrjet e rreme deri te mashtrimet bindëse të investimeve.
“Pandora” thuhet se nisi falë një punonjësi të vëmendshëm në një bankë në Freiburg të Gjermanisë, kur një klient u përpoq të tërhiqte mbi 100 mijë euro cash në dhjetor të vitit të kaluar, e në këtë moment punonjësi mësoi se klienti kishte qenë viktimë e një mashtrimi nga oficerë të rremë policie.
Sipas EUROPOL-it, personi në fjalë ishte zbuluar se kishte realizuar më shumë se 28 mijë telefonata mashtruese gjatë 48 orëve. Policia më pas krijoi qendrën e saj të thirrjeve për t’u marrë me mashtruesit.
Që nga dhjetori 2023, mbi njëqind oficerë u vendosën në Zyrën e Policisë Kriminale të Shtetit Baden-Wurttemberg dhe siguruan përmbajtjen e mbi 1.3 milionë bisedave telefonike mashtruese. Në vetëm katër muaj, policia regjistroi më shumë se 7 mijë e 500 thirrje, gjë që bëri që autoritetet të nisnin procedimin penal.
Në përgjithësi, “zyrtarët e qendrës së thirrjeve” kanë arritur të parandalojnë dëme financiare për viktimat në mbi 80 për qind të rasteve, që do të thotë se janë parandaluar dëme në vlerë prej dhjetë milionë eurosh.
Ky bashkëpunim ndërkombëtar çoi në arrestimin e 21 të dyshuarve dhe sekuestrimin e parave të gatshme dhe sendeve me vlerë prej një milion eurosh.