Në Turqi votohet të dielën për një parlament dhe president të ri. Pas 20 vitesh, presidenti aktual Rexhep Taip Erdogan nuk është favorit i qartë në garë. Sipas sondazheve, edhe aleanca e tij elektorale është prapa aleancës së opozitës.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thyer heshtjen në lidhje me zgjedhjet që mbahen të dielën.
“Kemi ardhur në pushtet në mënyrë demokratike. Nëse kombi im vendos ndryshe, do të bëjmë atë që demokracia na kërkon. Do të konsiderojmë legjitim çdo rezultat që do të dalë nga kutitë e votimit”.
Kjo ishte deklarata e presidentit turk gjatë një interviste direkt të transmetuar nga pjesa më e madhe e kanaleve televizive në Turqi.
Në Turqi votohet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Përfaqësuesi i forcave opozitare, Kemal Kilicdaroglu, sfidon Erdoganin, i cili kërkon mandatin e tretë, por duket në vështirësi më shumë se kurrë më parë.
Cili është sistemi politik në Turqi?
Që nga themelimi i saj në 1923, Republika Turke ka qenë një demokraci parlamentare sipas kushtetutës. Por sipas dëshirës së Erdoganit, kjo duhej të ndryshohej. Dhe kjo është ajo që bëri partia në pushtet AKP, me mbështetjen e partnerit të saj ultra-nacionalist MHP, në vitin 2017. Sistemi presidencial u fut më pas me zgjedhjet e 2018. Që atëherë, presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e Kryeministrit nuk ekziston më.
Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli për pesë vjet dhe ka kompetenca të gjera sipas sistemit të ri. Ai emëron dhe shkarkon ministrat dhe zyrtarët e lartë sipas gjykimit të tij, dhe gjithashtu kryeson kabinetin. Ministrat që emëron ai mund të emërojnë guvernatorë dhe zyrtarë shtetërorë në provinca dhe qarqe, kështu që presidenti mund ta ushtrojë ndikimin e tij edhe në komunitetet lokale.
Kreu i shtetit ka gjithashtu kompetencë të nxjerrë dekrete presidenciale dhe të emërojë poste të shumta në gjyqësor, financë dhe arsim. Postet më të rëndësishme të shërbimit sekret ose autoriteti i fuqishëm fetar Diyanet janë gjithashtu në varësinë e drejtpërdrejtë të Presidentit.
Me futjen e sistemit presidencial u hoq edhe parimi që Presidenti duhet të jetë mbipartiak. Presidenti në largim Rexhep Taip Erdogan ishte kështu në gjendje të mbante presidencën e partisë së tij islamike konservatore në pushtet, AKP. Që atëherë, praktikisht nuk ka pasur ndarje të funksioneve dhe mandatit.
Kush kandidon për president?
Ka katër kandidatë për zgjedhjet presidenciale. Presidenti në largim Rexhep Taip Erdogan dhe sfiduesi i tij Kemal Kilicdaroglu ndodhen në një garë gjoks më gjoks. Sipas shumë sondazheve, kandidati i aleancës më të madhe opozitare, Kilicdaroglu, është madje në krye, gjë që e bën Erdoganin dhe kampin qeveritar gjithnjë e më nervoz.
Vlerat e mbështetjes për dy kandidatët e tjerë variojnë nga 2 në 6%. Kandidatura e tyre bën që presidenti do të përcaktohet vetëm në raundin e dytë.
A ka rëndësi Parlamenti?
Gjatë mandatit të tij, Erdogan e përshtati pas vetes aparatin shtetëror dhe i zgjeroi vazhdimisht kompetencat e tij.
Edhe pse numri i deputetëve u rrit nga 550 në 600 me futjen e sistemit presidencial, Erdogan e bëri parlamentin turk të parëndësishëm. Në mund të diskutohen dhe miratohen edhe më tej ligje, por kampi i qeverisë me shumicën e tij dominuese ka bllokuar të gjitha projektet e opozitës në parlament dhe vetëm ka shtyrë agjendën e tij politike. Me shumicën e saj, qeveria ka penguar edhe kërkesat e opozitës, si ngritja e komisioneve hetimore pas fatkeqësive të mëdha apo akuzave për korrupsion. Në shumicën e rasteve, qeveria as iu është përgjigjur pyetjeve të opozitës.
Katërmbëdhjetë parti përfaqësohen në parlament, shumë prej të cilave kanë arritur të kalojnë kufirin e 7% falë aleancave elektorale.
Sa votues me të drejtë vote ka?
Sipas shifrave zyrtare, në zgjedhjet e 14 majit kanë të drejtë të votojnë më shumë se 64.1 milionë njerëz. Midis tyre, më shumë se 3.4 milionë jetojnë jashtë vendit. Për sa i përket peshës, votat e nga jashtë vendit vijnë kështu në vendin e katërt pas metropoleve më të mëdha turke Stamboll, Ankara dhe Izmir. Votimi jashtë vendit filloi më 27 prill.
Në zgjedhjet e vitit 2018, pjesëmarrja në Turqi ishte mbi 86%, ndërsa jashtë saj ishte rreth 50%.
Me rreth 53%, Erdogani fitoi presidencën në raundin e parë në 2018 dhe aleanca e tij elektorale mori pothuajse 54% të votave të vlefshme në Turqi. Jashtë vendit, Erdogani dhe aleanca e tij elektorale kanë pasur më shumë sukses, të dy duke fituar më shumë se 60% në mesin e turqve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas autoritetit zgjedhor turk, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe legjislative kanë të drejtë të votojnë 167.000 sirianë. Kjo pasohet nga 23.000 vetë nga Afganistani, 21.000 vetë nga Irani, 16.000 vetë nga Iraku dhe 6000 vetë nga Libia. Me përjashtim të HDP-së pro-kurde, të gjitha partitë konkurrojnë me një premtim zgjedhor për t’i kthyer refugjatët sa më shpejt të jetë e mundur andej nga kanë ardhur.