Aktualitet “Gjithçka u monitorua me dron”, Rrumbullaku për aksionin në kampin e MEK:...

“Gjithçka u monitorua me dron”, Rrumbullaku për aksionin në kampin e MEK: U plagosën 15 policë, kemi gjetur salla serverësh në 17 objekte

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm foli për tensionet e ndodhura në kampin e MEK. Ai u shpreh se aksioni ka ndodhur pas urdhrit të prokurorisë. Rrumbullaku u shpreh se policia mbeti viktimë në këtë aksion, ndërsa theksoi se janë gjetur salla serverësh në 17 objekte.

“Pas marrjes së njoftimit dhe urdhrit të prokurorisë për lejimin e kontrollit në ambientet e MEK, kam dërguar shkresë zyrtare për të gjithë zyrtarët e MEK-ut për takim në orën 08:00. Ne kemi thirrur në takim dhe na janë përgjigjur në takim 6 drejtuesit e kampit. Përgjatë një ore kemi diskutuar për qëllimin që motivohej në vendimin e gjykatës. Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre për momentet e para. Ne jemi adresuar në hyrje të kampit, ku kemi kërkuar edhe hapjen e portave.

Ai ka masa të rrepta, është totalisht territor shqiptar dhe nuk është pronë e tyre. Ne kemi hyrë në atë territor. Pasi ka nisur faza e kontrollit për rreth 2 orë, për shkak të numrit të madh të objekteve, ne konstatuam paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatave, kemi evidentuar salla serverësh në 17 objekte, ku nisi edhe rezistenca.

Ata kërkonin të mos lejohej ekzekutimi i vendimit të gjykatës. Policia ka kaluar në vetëpërmbajtje ekstreme dhe në asnjë rast nuk është përdorur dhunë nga policia. Nuk kemi gjetur mirëkuptimin e tyre dhe më pas kanë nisur procedurat për largimin e turmave. Nga e gjithë kjo përballje policia mbeti viktimë. Ne kemi përdorur vetëm spraj. Ne kemi mbetur të dëmtuar. Janë lënduar 15 efektivë policie dhe disa mjete të policisë. Nga ana e tyre 21 janë dërguar në spital dhe 15 kanë lënë qendrat shëndetësore”, tha Rrumbullaku.

I pyetur se pse nuk janë kryer arrestime pas përplasjeve në Manzë, Rrumbullaku deklaroi se identifikohen personat që kanë ushtruar dhunë. Rrumbullaku theksoi se që kur Policia ka nisur ushtrimin e kontrollit, gjithçka është montuar me kamera dhe dron.

“Ne i kemi identifikuar të gjithë personat e përfshirë, kundrejt pamjeve filmike, e gjithë dhuna ka qenë në monitorim ajror me dron, do dalin masat e ndalimit si dhe për drejtuesit që nuk kanë bashkëpunuar për këtë çështje.”

Ai përmendi dhe dokumente që janë gjetur në kamp, të cilat do t’i nënshtrohen një ekspertize nga ana e Prokurorisë.

“Gjatë gjithë veprimit policor janë konstatuar veprime nga individë të veçantë për të larguar atë ça u intereson, janë dokumente të gjuhë së tyre që po u nënshtrohen një ekspertize të detajuar nga prokurorët. Mund t’ju shpjegoj dhe më pas me autorizim të Prokurorit do u sjell pamjet filmike, sa i përket revoltës së tyre të dhunshme, do i shihni me syrin tuaj, e përsëris Policia nuk ka përdorur dhunë, vetëm një sprajt dhe hapjen e rrugës për lëvizjen e mjeteve policore. Policia e Shtetit ka një sërë strukturash që kanë një përgjegjësi të fushave të caktuara, procedimi penal që ka dalë me vendim gjykate nuk ka nevojë për interpretim nga ana ime.”

Rrumbullaku tha ndër të tjera se sulmet prej anëtarëve të MEK kanë qenë të organizuara.

“Rezistenca ka filluar kur policia ka konstatuar paligjshmëri që lidhet me servera e krompjutera dhe kjo ka qenë e organizuar, kemi të bëjmë me një komunitet prej 2500 banorësh.”