Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me dy vite e tetë muaj burg ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Ish-kryebashkiaku prej disa muajsh ishte duke u gjykuar në masën e “arrestit në shtëpi” për shpërdorim detyre në dy raste.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Dako shpërdoroi detyrën në lejimin e ndërtimit të një pallati pa i dalë leja dhe në falsifikim dokumentesh, si dhe në mosmarrjen e masave në rregullimin e një gabimi të bërë në përllogaritjen e fondit limit për një projekt të Bashkisë.
Rasti i parë ka të bëjë për lejen e një pallati 7-katësh. Në dosjen e SPAK thuhet se pas lejes së parë për ndërtimin, pronari kishte aplikuar sërish për një leje për 4 kate shtesë. Por ndërkohë që leja e dytë nuk ishte zbardhur, punimet vijuan në kundërshtim me ligjin. Në dosje thuhet se dokumentacioni i nevojshëm para nisjes së punimeve, përfshi edhe studimin sizmik, është kryer vetëm pasi pallati ishte ndërtuar dhe ishin futur banorët.
Rasti i dytë lidhet me tenderin e shëtitores së plazhit pranë Currilave. Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në përllogaritje, duke e dhjetëfishuar vlerën. Sipas SPAK, buxhetit të Bashkisë Durrës i është shkaktuar një dëm prej 18 milionë Lekë.
Sa i përket tre të pandehurve të tjerë, Fiqiri Farrukun, Ardian Bulkun dhe Fatmir Ejupin, u dënuan me nga 2 vite burg, por gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg për të tre.