Nesër në orën 14:00 do të mbahet seanca gjyqësore e marrjes në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha në GJKKO në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Për ish-Kryeministrin Berisha, SPAK ka vendosur masën “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”, dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, nën dyshimet e konsumimit të veprës penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Vepër kjo e ngritur nga SPAK pas dyshimeve se Berisha kur mbante detyrën e kryeministrit ka kryer veprime duke miratuar ligje apo akte nënligjore me qëllim që në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, të paraqiteshin 5 familjet e njohura pronare, ku fitues ndër të tjerë ishte Jamarbër Malltezi.
Gjithashtu prokuroria thotë se Berisha në cilësinë e kryeministrit ka vënë në dispozicion të Malltezit, struktura të ndryshme të administratës shtetërore me qëllim realizimin e procesit të privatizimit.
Të gjitha këto procedura të ndjekura nga Malltezi, tashmë i vënë nën akuzë për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, sipas SPAK janë kryer me qëllim privatizimin e ish-kompleksit, e më pas ndërrimin e destinacionit të tij për përfitim material, gjë që ka çuar në ndërtimin e një kompleksi pallatesh.
Fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, përllogariten në total në rreth 5.4 milionë Euro.