Aktualitet GJKKO sekuestron një apartament në emër të Jorgo Goros në Vlorë

GJKKO sekuestron një apartament në emër të Jorgo Goros në Vlorë

Apeli i Posaçëm ka sekuestruar një apartament në pronësi të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, në qytetin e Vlorës.

Apartamenti u sekuestrua në kuadër të hetimit pasuror të nisur ndaj ish-kryebashkiakut nga ana e SPAK.

Goro u arrestua të shtunën e 23 marsit 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pasi po hetohet me dyshime se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi për ndërtimin e kompleksit turistik.

NJOFTIMI I GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 31.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 29, datë 26.07.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive”, dhe vendosi:

Ndryshimin e Vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, në bazë dhe për zbatim të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, për pasurinë numër ***, volumi ***, faqe ***, Zona Kadastrale nr. ***, lloji i pasurisë “Apartament”, sipërfaqja e përgjithshme 81.41 m2, adresa e pasurisë ***, për llogari të Procedimit Penal nr. 189, të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/II i Kodit Penal, me person nën hetim Z. J.G.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar.