Kryesore GJKKO, shkresë Kuvendit për marrjen në pyetje të Sali Berishës

GJKKO, shkresë Kuvendit për marrjen në pyetje të Sali Berishës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar në shkresë Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-kryeministrit Sali Berisha ku kërkohet marrja në pyetje e këtij të fundit.

Shkresa mban datën 14 nëntor 2023 dhe është administruar nga Protokolli i Kuvendit.

“Në zbatim të urdhërimit të gjykatës për komunikimin e vendimit Nr.117 datë 26.10.2023 bashkëlidhur ju dërgojmë vendimin me Nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që i përket shtetasit Sali Berisha me objekt: Marrjen në pyetje të personit nën hetim me qëllim marrjen dijeni nga ana juaj”, thuhet në shkresën e GJKKO.

Ndaj ish-kryeministrit ka masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë në lidhje me hetimet që po zhvillohen për privatizimin e ish-kompleksit ‘Partizani’, për akuzën e korrupsionit pasiv.

Berisha i ka hedhur poshtë këto akuza dhe refuzon të njohë vendimin e gjykatës për këtë masë sigurie, me argumentin se fillimisht duhej të merrej autorizim nga Parlamenti për shkak se është deputet.

Për të njëjtin hetim, në arrest në burg është dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ndërtuesi Fatmir Bektashi ka masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë Shqipërisë.