Aktualitet GJKKO urdhëron SPAK-un që të hetojë pasurinë e ish-ministrit, Ilir Beqja

GJKKO urdhëron SPAK-un që të hetojë pasurinë e ish-ministrit, Ilir Beqja

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar SPAK-un që të kryejë hetim pasuror ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja.

Referuar vendimit për dosjen e sterilizimit gjykata kërkon të bëhet ky hetim për të kuptuar se pse ka ndikuar dhe favorizuar kompaninë “Sani Service” te fitojë koncesionin e sterilizimit.

“E gjithë veprimtaria e paramenduar kriminale e planifikuar në detaje nga personat nën hetim, është bërë thjesht për shkak të marrëdhënieve të ngushta shoqërore të personit nën hetim Ilir Rapaj me personin në hetim Klodian Rjepaj, si dhe për shkak të njohjeve personale të këtij shtetasi dhe shtetasit italian Umbro Staçini me ish-ministrin e Shëndetësisë z. Ilir Beqaj apo është rrjedhojë e përfitimit të parregullt që rrjedhë nga korrupsioni i zyrtarëve që kanë marrë pjesë në këtë procedurë. Për këtë nevojitet një hetim pasuror”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Erion Bani kërkohet që SPAK të marrë nën hetim ish-ministrin Beqaj dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Këri, Spiro Kuro, Leonard Grashi dhe Hektor Balluku për shpërdorim detyre.

Ndërkohë burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije që po hetohet në procedim tjetër, jo vetëm ish-ministri i Shëndetësisë, Beqja por edhe ai i Financave, Shkëlqim Cani.