Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për të lënë në arrest shtëpie ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në vendimin që mban firmën e gjyqtares Irena Gjoka, Berisha duhet të mos largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të. Po ashtu, gjykata ka vendosur që të pranojë kërkesën e SPAK që Berisha të mbikëqyret nga policia.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Tashmë, pala mbrojtëse ka pesë ditë afat për të kryer ankim ndaj këtij vendimi.
SPAK kërkoi shtrëngimin e masës për Berishën pasi ai nuk zbatoi masën e detyrimit për t’u paraqitur, caktuar në Tetor ndaj tij. Organi i akuzës kërkoi në Kuvend heqjen e imunitetit të Berishës dhe parlamenti votoi për miratimin e kësaj kërkese më 21 Dhjetor.