Kryesore GJKKO vendos më 6 janar për dosjen “Partizani”, Gjokutaj: Nuk ka gjykim...

GJKKO vendos më 6 janar për dosjen “Partizani”, Gjokutaj: Nuk ka gjykim të shkurtuar për Berishën

Seanca paraprake për dosjen “Partizani” është shtyrë sërish. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 6 janar të vitit tjetër.

Në seancën e sotme prokuroria lexoi kërkesën për gjykim ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë.

Mësohet se ka pasur debate dhe diskutime me avokatët që kanë pretenduar se kërkesa për gjykim nuk ka sqaruar rrethanat penale për të cilat akuzohen klientët e tyre.

Gjykata pasi dëgjoi Prokurorinë e Posaçme vendosi të shtyjë seancën për 6 janar. Në atë seancë do të dëgjohet mbrojtja. Ata do të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj kërkesës së SPAK.

Avokati i Berishës tha se prokuroria nuk ka konkluduar si është shkelur ligji nga të pandehurit. Pasi të dëgjojë edhe palën tjetër, gjykata do të vendosë nëse do ta kalojë ose jo çështjen për gjykim.

“Sot vijoi seanca dhe kjo seancë deri tani ishte seancë për paraqitjen nga ana e prokurorëve për paraqitjen e rezultateve paraprake. E njëjta vjershë. Ai foli pa referencë. Kërkuam të na faktojë faktin penal dhe të na individualizonte provat për subjektet. Seanca është shtyrë më 6 Janar në orën 11:30”, tha avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj.

Avokati u shpreh se Berisha nuk do të kërkojë gjykim të shkurtuar.

“Ne do të vazhdojmë gjykimin, themelin, sepse ne tashmë fillojmë mbrojtjen tonë përpara gjykatës që do të jetë në dyer të hapura në prani të medias dhe njerëzve të interesuar. Ne do ta sqarojmë për aq sa na takon çështjen. Gjykimi i shkurtuar për zotin Berisha është i përjashtuar”, tha Gjokutaj.

Më herët SPAK ankimoi në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e Shkallës së Parë që revokoi masën e “arrestit në shtëpi” për kryedemokratin Sali Berisha.