Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë gjobitur 157 persona, këmbësorë apo qytetarë që lëviznin me biçikletë, pa arsye të veçantë.
Policia e Shtetit bën me dije se këta persona janë gjobitur me 100 mijë Lekë të vjetra. Po kështu, gjobës nuk i ka shpëtuar as një qytetar, i cili u fut pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore për të parë një familjar të tij. Për këtë arsye, ai u gjobit me 5 milionë Lekë të vjetra.
Ndërsa 8 shoferë që u kapën duke qarkulluar me makinë gjatë orarit të ndaluar, ju hoq patenta dhe ju sekuestrua mjeti.
Gjobë u është vënë edhe 7 dyqaneve që nuk zbatuan orarin e mbylljes.
Policia sqaron se “nga sot e në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.
Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa”.
Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të emailit apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.