Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Scientific American” ka botuar, në mars të 1942, në faqet n°152-153, një shkrim rreth metodës së re të fotografimit të përdorur asokohe nga Gjon Mili, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Këndet e kamerës
Drejtuar nga Jacob Deschin, A.R.P.S.
Multiflashi stroboskopik (Blici i shumëfishtë)
Fotografia stroboskopike me blicë të shumëfishtë (multiflashë) është termi i përdorur nga Gjon Mili, inxhinier fotografik, për të përshkruar metodën e krijimit të imazheve të tilla si ato të riprodhuara këtu. Me metodën tashmë të njohur të blicit të shumëfishtë (multiflashit), e cila përfshin përdorimin e burimeve të shumta të blicit për të krijuar një imazh të vetëm, Mili shton ekspozimin e shumëfishtë për të regjistruar disa imazhe në të njëjtën pllakë.
Z. Mili, i cili kohët e fundit ekspozoi 50 fotografi në Muzeun e Artit Modern në qytetin e Nju Jorkut, në shfaqjen e parë të punës së tij me blic stroboskopik të mbajtur ndonjëherë, sheh në blicin e shumëfishtë stroboskopik qasjen më të afërt ndaj asaj që ai e konsideron një metodë besnike të fotografimit të kërcimtarëve në aksion.
“Kërcimi është një shprehje në kohë dhe hapësirë”, thotë ai. “Prandaj, për të bërë një regjistrim të kërcimit, për të ruajtur cilësinë e tij, duhet të përdoret një kamer (aparat) filmike. Një fotografi e vetme, sado me fat të jetë përbërja ose shprehja e saj e ndjenjës, në rastin më të mirë mund të sugjerojë vetëm gjendjen shpirtërore pa treguar vijën e lëvizjes ose shprehjen. Për të regjistruar një lëvizje të tërë në një pllakë të vetme, u përdor teknika e njohur tashmë si fotografia stroboskopike multiflash (me blicë të shumëfishtë)”.
Duke përdorur një aparat fotografik të tipit studio Deardorff 5 me 7, Mili përshkruan procedurën e tij si më poshtë :
“Kamera mbahet e hapur gjatë gjithë periudhës së një faze, ndërsa dritat e pajisura me tuba Edgerton me shpejtësi të lartë ndizen në mënyrë të përsëritur — për të lënë përshtypje të shumëfishta imazhesh në të njëjtën pllakë, modeli mund të ndryshojë sipas dëshirës duke ndryshuar shpejtësinë e shkrepjes — duke e përshpejtuar ose vonuar atë; Është ky element i kontrollueshëm multiflashi (blici të shumëfishtë) që mund të bëjë të mundur një prezantim vërtet artistik të lëvizjes së kërcimit.”
“Shumica e modeleve të ekspozuara u arritën me ndihmën e tre dritave të cilat pulsonin në intervale nga 8 deri në 15 shkrepjeve në sekondë, në varësi të shpejtësisë së lëvizjes. Kamera (aparati) funksiononte me diafragma që varionin nga f/5.6 deri në f/16”.
Rezultatet e arritura kanë tërheqje si piktoreske, ashtu edhe shkencore, herë të kombinuara, herë njërën apo tjetrën. Shpejtësia e lëvizjes është kërkesa kryesore, bukuria e lëvizjes dytësore, por thelbësore nëse rezultati i dëshiruar është tërheqja piktoreske dhe jo gjetja e pastër e fakteve. Për shkak të shpejtësisë ekstreme të dritës, një imazh i paqartë vështirë se është i mundur; vetëm një fokus i keq do të shkaktojë një mungesë mprehtësie.
Në fotografitë me një veprim të përfshirë në shfaqje, kur u përdorën 3 deri në 12 njësi me një blic Edgerton, z. Mili u përpoq ta kapte (fotografonte) balerinën në lartësinë e një rrotullimi ose kërcimi të ndërlikuar. Megjithatë, në rastin e fotografive stroboskopike më blicë të shumëfishtë, ai u përpoq të tregonte një sekuencë të plotë lëvizjesh që përfshinte jo vetëm veprimin e çastit më dramatik, por edhe serinë e veprimeve të çastit që paraprinë dhe pasuan “ngjarjen kryesore”. Me fjalë të tjera, shkrepjet e tij të shumta me blic janë përafrimi i imazheve të palëvizshme të regjistrimit kinematografik.
Kështu, ai tregon lëvizjet e shumëfishta si fizarmonikë të një balerini, ose fijet e rrjetës së merimangës të një rrote qerreje njerëzore të ndarë në segmente ndërsa ajo vezullon në hapësirë.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania