Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Vlorës, Herila Çela.
Gjyqtarja akuzohet se liroi nga burgu të akuzuarin për tentativë vrasje, Taulant Manaj.
Në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar KLD-së thuhet se: “I pandehuri për të cilin gjyqtarja Çela ndryshoi masën e sigurimit personal është person me precedent penal dhe i dyshuar si i përfshirë në krime të rënda, përplasje me armë dhe mosbatim të vendimeve të gjykatave, rrethana të cilat janë vlerësuar nga gjyqtarja Herila Çela. Sa më sipër, Ministri i Drejtësisë vlerëson se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të depozitave urdhëruese lidhur me mënyrën e disponimit nga ana e gjyqtares Herila Çela”.
Por vetë gjyqtarja është e bindur për vendimin që ka dhënë.
“Është paraqitur kërkesa dhe, gjithçka që kam depozituar dhe çfarë është administruar në dosjen gjyqësore janë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Vlorës. Unë nuk kam asnjë koment më shumë për të bërë. Jam e përgjegjshme absolutisht me vendimin dhe vendimmarrjen. Jam bazuar në provat që janë paraqitur në seancën gjyqësore nga ana e Prokurorisë”, deklaroi të enjten gjyqtarja Çela.
Sipas gjyqtares, Prokuroria duhej ta kishte vendosur në dijeni edhe për episodin e parë, duke mos i veçuar fashikujt hetimorë. Pas sulmeve të qeverisë, reagimi i Çelës në kohë Vettingu është edhe një apel për institucionet që të kryejnë verifikimin e duhur.
“Unë jam e hapur të vijnë kontrolle, të vijnë të verifikojnë nga Ministria apo nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Nga kushdo që e sheh të arsyeshme”, deklaroi gjyqtarja Herila Çela.