Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, gjatë së cilës është takuar me Ministrin e Burgjeve, Rory Stewart, Sekretarin për Punët e Brendshme, Philip Rutnam dhe Shefin Ekzekutiv të Zyrës së Rekordeve Kriminale (ACRO), Rob Price.
Në takimet e veçanta bilaterale me zyrtarët britanikë, ministrja e Drejtësisë ka marrë mbështetjen e plotë për nismat antikrim që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë tashmë, sikurse për reformat e thella që janë duke u kryer, e në veçanti për reformën në sistemin penitenciar.
Ministrja e Drejtësisë dhe ministri britanik për Burgjet diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe me fokus specifik bashkëpunimin në fushën e burgjeve dhe reformës gjyqësore. Të dy vendet kanë punuar ngushtë ndër vite dhe në mënyrë produktive mbi këto çështje dhe të dy ministrat theksuan rëndësinë e vazhdimit të këtij angazhimi, duke shprehur besimin në vijimin dhe forcimin e këtij bashkëpunimi.
Në takimin me Sekretarin për Punët e Brendshme,Philip Rutnam, ministrja Gjonaj ka folur lidhur me masat antikrim që po ndërmerr Qeveria Shqiptare, ndër të cila ka veçuar regjimin e ri të sigurisë në burgje si dhe paketën antikrim që është duke u përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Lidhur me regjimin e ri të sigurisë në burgje, Gjonaj tha se me ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga parlamenti, parashikohet vendosja në një regjim të posaçëm izolimi të dënuarve për vepra penale të krimit të organizuar, terrorizmit apo ekstremizmit të dhunshëm.
Nga ana e tij, Rutnam përshëndeti nismat e MD dhe nënvizoi rëndësinë që ka ndërprerja e lidhjeve që elementë kriminalë të organizatave kriminale në burgje tentojnë të mbajnë me botën jashtë, për të ndjekur aktivitet e tyre kriminale. Sipas tij për Qeverinë Britanike është e gatshme të mbështesë me ekspertizë dhe nga ana financiare në rritjen e sigurisë në burgje në Shqipëri.
Ndërkohë, në takimin me shefin e Zyrës së Rekordeve Kriminale (ACRO), ministrja Gjonaj ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nga kjo zyrë, që ka rezultuar me një bashkëpunim mjaft produktiv në muajt e fundit, por nënvizoi se është shumë e rëndësishme të shkohet më tej në një tjetër nivel. Price nga ana e tij ka vlerësuar punën e mirë të bërë nga autoritete shqiptare dhe bashkëpunimin frytdhënës në mënyrë të ndërsjelltë. Ai theksoi se ACRO është shumë e kënaqur me rezultatet pozitive në shkëmbimin e dhënave kriminale me Shqipërinë.