Kryesore Gjuetia për “Sëmundjen X”. Doktori që zbuloi Ebolën paralajmëron njerëzimin për viruse...

Gjuetia për “Sëmundjen X”. Doktori që zbuloi Ebolën paralajmëron njerëzimin për viruse të tjerë vdekjeprurëse

“Njerëzimi do të përballet me një numër të pacaktuar virusesh vdekjeprurëse që vijnë nga pyjet e Afrikës”. Kështu thotë për CNN profesori Jean-Jacques Muyembe Tamfum, i cili ka ndihmuar në zbulimin e Ebolës në vitin 1976, dhe është në vijën e parë të kërkimit për patogjenet e reja që nga ai vit.

“Jetojmë në një botë ku shpërthimi i patogjeneve të reja është bërë diçka normale. Ky normalitet përbën kërcënim për njerëzimin. Duhet të kemi frikë, sepse Ebola nuk njihej, as Covid-i nuk njihej. Duhet të kemi frikë nga sëmundjet e reja”, nënvizon profesori.

Aktualisht, në Kongo po studiohet një sëmundje që jep simptomat e Ebolës, por analizat e gjakut që iu bënë pacientes, e cila sot është shëruar, tregojnë se sëmundja e saj nuk ka lidhje me asnjë nga viruset që njohim deri më sot.

Kur CNN e pyeti Muyembe nëse mendon se pandemitë e ardhshme do të jenë më të rënda sesa Covid-19, ai tha: “Po, mendoj se po. Patogjenet po kalojnë shpesh e më shpesh nga kafshët te njeriu, pasi njeriu hyn në pyll për ta shfrytëzuar atë. Nëse hyn në pyll, ti i ndërron ekologjinë atij. Insektet dhe minjtë do të largohen nga aty dhe do të shkojnë në fshatrat pranë, duke sjellë viruset e reja. Te lakuriqët e natës janë vënë re mbi 10 koronaviruse, që ende nuk e dimë se sa të rrezikshme janë për njeriun”.