Aktualitet Gjykata e Lartë cakton datën e shqyrtimit të dosjes së Saimir Tahirit...

Gjykata e Lartë cakton datën e shqyrtimit të dosjes së Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës

Gjykata e Lartë ka caktuar datën për shqyrtimin e dosjes së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Rekursi do të shqyrtohet në datën 28 shtator, ora 10:00.

Tahiri dhe Çela i kërkojnë Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Apelit dhe të pushojë çështjen ndaj tyre.

Në këtë gjykatë, Tahiri ka kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm, që e ktheu dosjen në ngarkim të tij për rigjykim në Shkallën e Parë.

Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë.