Gjykata e Lartë vendosi sot mospranimin e kërkesës së ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji për pezullim të ekzekutimit të dënimit të tij me një vit burg.
Pas këtij vendimi, Salianji ka reaguar nga qelia, përmes avokatit të tij.
Salianji shprehet se e vërteta nuk mbulohet dhe se po mbahet padrejtësisht në burg, ndërsa thekson se është “më i lirë se ca shërbëtorë”.
Teksa shprehet se po vuan një dënim të padrejtë, ai thekson sërish se nuk shitet kurrë e do e mbrojë interesin publik deri në fund.
“Ndonëse i burgosur, i kufizuar i privuar, e me një mandat me shumë mund të fituar, e që e shoh të trafikuar; përballë vetes e jush, jam njeri i lirë. Po, jam njeriu më i lirë, më i lirë se ca shërbëtorë, them atë që mendoj e vendos mbi atë që besoj! Nuk shitem, nuk blihem, nuk trysnohem e as lëshohem nga padrejtësia, e prapë qëndroj e mbroj interesin publik. Përtej kostove, sakrificave, politikën atë çfarë kam bërë e bëj , e kam zgjedhje dhe mision. E di shumë mirë, që shumë shqiptarë vuajnë padrejtësitë njësoj e ndoshta më keq çdo ditë. Shumë shqiptarë e prekin persekutimin nga padrejtësia, e varfërinë nga pamundësia, që ja vjedh ja dhunon Edi Rama vetë, dora e tij e shtrirë si zgjatime shërbetorësh, kudo. Nuk di nëse kam më shumë keqardhje apo më shume përbuzje për shërbëtorët, që përthyejnë shpinën në përkulje ndaj pushtetit, jo thjeshtë të korruptuar, por kriminal. Banda që vendosin për njerëz me diploma! Të pengmarrë në integritetin e tyre profesional, i nënshtrohen urdhërit arbitrar që vjen direkt nga skutat e krimit. Jam i qartë edhe më shumë që dënimi pa ligj e pafuqia e çdo institucioni të pushtetit, veçse i hap shikimin e rrit reagimin njerëzve të ndershëm, opozitarë ose jo, që vuajnë keqqeverisjen, emigrimin, korrupsionin, e shkeljen me këmbë nga milionerët e pushtetit të krimit. Sakrifica më motivon, për më shumë qëndresë e betejë!”
Sipas Salianjit, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj kanë lidhje me trafikun e drogës.
“E ta themi qartë, Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, ndihmojnë trafikun e drogës, e mbrojnë me gjyqësorin e kontrolluar. E bekojnë dhe e mbrojnë vetë, ndaj nuk u hetua trafikanti i drogës dhe as u hetua përdorimi e institucioneve të Ministrisë së Brendshme për lehtësimin e përfshirjen në trafik droge. Trafikanti vëlla apo xhaxha, nuk bëhet hero! E vërteta nuk mbulohet nën dritën e diellit! Përzemërsisht Ervin Salianji!”
Salianji u dënua me njw vit burg për “kallëzim të rremë publik” nga Gjykata e Apelit më 26 tetor.