Holanda është pjesërisht përgjegjëse për të paktën 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës në Bosnje. Vendimi ka ardhur nga vetë Gjykata e Lartë holandeze, që thekson se shteti pati 10% të fajit, pasi ky ishte probabiliteti që ushtarët e saj mund të parandalonin vrasjet.
Gjatë luftës së Bosnjës, ushtria serbe u angazhua në operacione të spastrimit etnik. Forcat serbe të Bosnjës ekzekutuan mbi 8 mijë burra myslimanë në qytetin e Srebrenicës në vitin 1995, duke lënë kështu një datë të zezë në histori. Paqeruajtësit holandezë po ruanin një zonë të sigurtë të vendosur nga Kombet e Bashkuara kur ndodhi masakra.
“Nëse forcat holandeze do tu jepnin mundësinë burrave që të qëndronin në banesat e tyre, ata do të kishin vetëm 10% mundësi që të mos binin në duart e serbëve, prandaj shteti i Holandës duhet të mbajë përgjegjësi vetëm për atë pjesë dëmi të pësuar nga viktimat”, argumentoi Gjykata e Lartë e atij vendi.
Është shumë e rrallë që një shtet të mbajë përgjegjësi për dështimin në punën paqeruajtëse në OKB. Në vitin 2002, një raport për rolin e Holandës në Srebrenicë bëri që e gjithë qeveria e këtij vendi të japë dorëheqjen.
Pas gjithë këtij veprimi të gjatë ligjor qëndron një grupim me të afërm të viktimave të quajtur “Nënat e Srebrenicës”. Çështja është pranuar dhe nga Kombet e Bashkuara, por nuk mund të gjykohet pasi Organizata zotëron imunitet.
Më herët një gjykatë apeli vendosi që shteti i Holandës kishte 30% të përgjegjësisë, por kjo masë u reduktua në 10%.