Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sekuestros ndaj disa pronave të biznesmenit strategjik Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Biznesmenit i janë sekuestruar 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, dhe dyshohet se këto sipërfaqe janë përfituar me anë të falsifikimit.
Ndërsa SPAK nuk përfshiu në kërkesën e sekuestros pasuri të tjera në posedim të tij apo të personave të afërm, por tha se vijojnë hetimet. Pëllumb Gjoka njihet si pronar i një sërë pronave e objekteve me funksion shërbime, hoteleri apo lojëra fati.
Toka u sekuestrua pasi dyshohet se janë falsifikuar dokumenta për ti përvetësuar. Pëllumb Gjoka akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që akuzohen për një sërë veprash penale duke nisur nga “Vrasja me paramendim”, “Shpërdorimi i detyrës” deri tek “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Krijim kushte për vrasje” etj.
Gjykata e Lartë nuk pranoi as rekursin nga arratia te Prekë Kodrës për ndryshim mase sigurie, i akuzuar si pjesë e të njëjtit grup kriminal por që ende nuk është arrestuar dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.