Mund të duket e çuditshme, por Gjykata e Lartë, një prej pjesëve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, ka mbetur me vetëm 9 anëtarë nga 17 që ka në organikë.
Edhe gjyqtari Andi Çeliku i cili ushtronte detyrën me mandat të mbaruar ka paraqitur dorëheqjen. Së bashku me të, mandati i ka mbaruar edhe gjyqtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj dhe Arjana Fullani.
Kjo situatë ka alarmuar kryetarin e kësaj gjykate, Xhezair Zaganjorin, i cili i është drejtuar presidentit Meta për të zgjidhur këtë çështje.
Numri i ulët i gjyqtarëve sjell gjithashtu edhe shtimin e stokut të dosjeve që presin për t’u gjykuar, ndërkohë që për dosjet e të gjithë gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqjen për shkak të përfundimit të mandatit do të hidhet një shorti i ri për të caktuar pasuesit.
Ky është numri më i ulët i gjyqtarëve në historinë e Gjykatës së Lartë.