Aktualitet Gjykata e Lartë rikthen dënimin përjetë për Dritan Dajtin

Gjykata e Lartë rikthen dënimin përjetë për Dritan Dajtin

Gjykata e Lartë ka rikthyer këtë të martë dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i dënuar për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni, Artur Kalaja prishi kështu dënimin e dhënë nga Apeli për Krimet e Rënda, që e dënoi Dajtin me 25 vjet burg dhe la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Në vitin 2014, Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda (në atë kohë), për vrasjen e 4 punonjësve Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollarri.

Por në shkurt të 2019-ës, një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm, duke e dënuar Dajtin me 25 vite burg.

Dritan Dajti u prangos në vitin 2009  për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, akuza të cilat i mohon duke pretenduar se qëlloi me armë për t’u vetëmbrojtur pa e ditur se ata ishin policë.

Në atë ngjarje u vra edhe shoku i Dajtit, Ledion Mara si dhe u plagos një pushues.

Në asnjë seancë gjyqësore Dritan Dajti nuk ka pranuar që t’i ketë vrarë katër punonjësit e policisë me qëllim, por ka theksuar se në përleshjen e asaj dite është vetëmbrojtur.