Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili kërkoi prishje të vendimit të GJKKO për hapje të hetimit për dosjen “Gërdeci”. Mediu kundërshtoi vendimin e Apelit të GJKKO-së, që i hapi rrugën ri-hetimit të çështjes së tij.
Rekursi u bë pasi nga ish ministri u konsiderua si vendim anti-kushtetues i cili ngriti pretendimin se cenohet parimi i gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.
Për mbrojtjen, ndjekja penale për rastin është e parashkruar për shkak të 13 viteve nga koha kur ngjarja ka ndodhur. Ndërkohë më herët SPAK njoftoi zyrtarisht se ka regjistruar procedimin penal ndaj Fatmir Mediut për dy vepra penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara në Kodin Penal Ushtarak. Në vendimin e arsyetuar togat e zeza të Apelit theksonin se Fatmir Mediu nuk është gjykuar asnjëherë për çështjen e Gërdecit.
Po ashtu në vendim thuhet se afatet e parashkrimit janë respektuar pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009. Një tjetër argument që u përdor nga gjykata është edhe fakti që Mediut iu hoq imuniteti në vitin 2012, çka i hap rrugën gjykimit. Po ashtu rënia e imunitetit është vlerësuar si fakt I ri për gjykatën.
Ishin familjarët e Edison Durdajt, 7-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e shpërthimit që e vendosën në lëvizje SPAK për të rihapur dosjen Gërdeci. Çështja ndaj Mediut u mbyll më 14 shtator 2009, kur ai u ri-zgjodh deputet pasi avokatët mbrojtës në atë kohë argumentuan se hetimi ndaj tij bëhej vetëm pas autorizimit të Kuvendit për heqjen e imunitetit. Tragjedia e Gërdecit ndodhi me 15 Mars të 2008, nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 qytetarë dhe u plagosën afro 300 të tjerë.