Gjykata e Lartë Administrative në Turqi ka anuluar statusin e muzeut për Hagia Sofian në Stamboll, një monument kulture i famshëm në të gjithë botën, duke hapur dritën jeshile për kthimin e saj në xhami.
Hagia Sofia, një çështje politike
Hagia Sofia nuk është vetëm monumenti më i njohur turistik i Stambollit, por edhe një atraksion turistik i gjithë Turqisë. Kupola e madhe dhe afresket tërheqin çdo vit miliona vizitorë dhe i kanë dhënë ndërtesës statusin e një monumenti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Por Hagia Sofia është më shumë se një kryevepër arkitektonike – dhe ka qenë gjithmonë një simbol politik. Ndërtesa monumentale u ngrit në shekullin e gjashtë pas Krishtit nga perandori bizantin Justinian.
Kur osmanët pushtuan Kostandinopojën në vitin 1453, Sulltan Mehmeti II e shndërroi shpejt kishën në xhami. Edhe themeluesi i Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturku, e përdori kishën për një akt me rëndësi të madhe simbolike: në vitin 1935, ai e ktheu Hagia Sofinë në muze. Turqia moderne është një vend laik, ky qe mesazhi i asaj kohe.
Tani Presidenti aktual turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron ta përdorë në mënyrë simbolike ndërtesën në lagjen Fatih të Stambollit. Për shumë prej votuesve të tij nacionalistë-islamikë, Hagia Sofia është simbol i pushtimit të Kostandinopojës së krishterë nga osmanët dhe i epërsisë së botës islamike.
Patriarku Bartholomaios i Kostandinopojës, kreu i Kishës Ortodokse, u shpreh rreptësisht kundër shndërrimit të Hagia Sofisë në xhami. Hagia është një nga monumentet më të rëndësishëm të civilizimit njerëzor dhe u përket jo vetëm pronarëve të tij të drejtpërdrejtë, por “të gjithë njerëzimit”, tha patriarku gjatë një shërbimi fetar në Stamboll
Edhe bota akademike është e shqetësuar për transformimin e mundshëm të muzeut. “Ndërtesa u ka shërbyer dy feve botërore për 1500 vjet pa pasur nevojë të ndryshojë rrënjësisht arkitekturën e saj,” thotë historiani Edhem Eldem nga Universiteti Bogazici i Stambollit. “Në të gjithë botën ka vetëm një numër të vogël kësi lloje ndërtesash. Dhe ne duhet t’i mbrojmë ato”. Hagia Sofia është simbol i një trashëgimie të përbashkët, universale njerëzore. “A duam ta izolojmë dhe ta fshehim këtë trashëgimi – apo më mirë t’ia prezantojmë atë gjithë botës?”, pyet Eldem.
Edhe teologu Ihsan Eliaçık mendon në mënyrë të ngjashme. Për të nuk ka asnjë arsyetim apo justifikim fetar për një hap të tillë. Në Kuran nuk ka vend për të arritur “një të drejtë përmes shpatës”. “Përvetësimi me dhunë i monumenteve kulturore është i ndaluar”. Hagia Sofia është një simbol i paqes midis botës islamike dhe asaj të krishterë, thotë Eliacik.