Bota Gjykata e Lartë vendos në favor të ish-Presidentit: Emri i Trump nuk...

Gjykata e Lartë vendos në favor të ish-Presidentit: Emri i Trump nuk hiqet nga fleta e votimit

Gjykata e Lartë të hënën riktheu emrin e ish-Presidentit Donald Trump në fletëvotimet e zgjedhjeve paraprake në garën presidenciale të këtij viti, duke hedhur poshtë përpjekjet e disa shteteve për ta mbajtur përgjegjës Trump-in për trazirat në Kapitol.

Një ditë para zgjedhjeve paraprake të Super të Martës, gjykatësit vendosën se shtetet nuk mund të fusin në përdorim nenet e Kushtetutës të shkruara pas Luftës Civile amerikane, për të hequr nga fletëvotimi kandidatët presidencialë. Sipas Gjykatës së Lartë, kjo e drejtë i takon Kongresit.

“Fitore e madhe për Amerikën!!!” shkruajti Trump në platformën e tij sociale menjëherë pas shpalljes së vendimit.

Ky vendim u jep fund përpjekjeve në shtetet si Kolorado, Illinois dhe Mein për ta hequr emrin e Trump nga fletëvotimi, ndërsa ai është kandidati kryesor republikan për të fituar emërimin e kësaj partie, për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 kundër kandidatit demokrat Joe Biden, përpjekje që kulmuan me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.

Ndër anëtarët e Gjykatës së Lartë janë tre gjykatës që janë emëruar nga vetë Trump gjatë kohës që ishte president. Ata kanë marrë në shqyrtim ndër vite disa çështje të lidhura me Trump, duke refuzuar të mbështesin pretendimet e tij të pavërtetuara për manipulim në zgjedhjet e vitit 2020, apo duke refuzuar kërkesën e tij që të dhënat e tij të taksave mos t’u jepeshin Kongresit dhe prokurorëve në Nju Jork.

Hera e fundit që Gjykata e Lartë pati një rol kaq konkret në politikë për zgjedhjen e presidentit ishte para 23 vitesh, kur u mor vendimi 5 me 4 për çështjen Bush kundër Gore. Nga anëtarët e tanishëm të gjykatës, vetëm gjykatësi Clarence Thomas ishte në atë kohë në detyrë. Ai ka refuzuar thirrjet nga disa ligjvënës demokratë për t’u tërhequr nga çështja e Trump, për shkak se bashkëshortja e tij, Ginni, mbështeti përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe mori pjesë në tubimin që i parapriu sulmit ndaj Kapitolit.