Shpati Lena është një nga viktimat e atentatit të ndodhur paraditen e së enjtes në Panaja të Vlorës.
Ai ishte arrestuar në mars të këtij viti me dy persona të tjerë Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë.
Ata ishin të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre.
Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa vendosi masën “detyrim paraqitje” për Shpati Lenën.
Nga atentati i sotëm, mbeti i vdekur edhe shtetasi Hakim Zhezo.
Vrasja ndodhi rreth orës 09:30 në autostradën Fier-Vlorë, teksa në drejtim të automjetit të tyre u qëllua me breshëri plumbash, nga një tjetër automjet në lëvizje.
Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hasmërie.