Ish-kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, do të qëndrojë në burg. Gjykata la në fuqi masat e sigurisë për Tushen ashtu sikurse edhe për 8 zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie, si dhe 2 biznesmenët e arrestuar për tenderin e kanalit ujitës.
Kështu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën arrest me burg për 7 prej të arrestuarve dhe arrest shtëpie për 4 të tjerë.
Seanca nisi gjatë orëve të paradites, por u ndërpre për gati dy orë pasi avokatët e të pandehurve kërkuan kohë që të njihen me dosjen voluminoze të SPAK.
Ish-kryebashkiaku Tushe akuzohet se në bashkëpunim me vartësit e tij janë përfshirë në tenderin abuziv për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj me vlerë 28 milionë Lekë të reja.
Sipas SPAK ata kanë kryer procedura fiktive dhe në kundërshtim me ligjin duke favorizuar firmën “Euro ALB” në dhënien e këtij tenderi dhe duke skualifikuar dy firma të tjera edhe pse ato kishin paraqitur ofertat më të lira.