Gjykata e Tiranës ka pezulluar nga detyra kreun e federatës së futbollit, Armando Dukën.
Po i njëjti vendim është marrë dhe për Sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulkun. Ndërkohë, pezullimi i anëtarit të Komisionit të Verifikimit, Koço Kokëdhimës është refuzuar.
Vendimi për pezullimin e kreu të FSHF është marrë nga gjyqtari Artan Gjermeni.
Për Armando Dukën, Prokuroria ka kërkuar ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të detyrës si person nën hetim i dyshuar për shpërdorim detyre.
Hetimet për falsifikim dhe shpërdorim detyre po kryen nga prokurori Arben Agovi.
“Pranimin e kërkesës -Caktimin si masë sigurimi ndalues ndaj personit nën hetim Ardian Haçi, atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.
Pranimin e kërkesës -Caktimin si masë sigurimi ndalues ndaj personit nën hetim Ilir Shulku, atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.
Pranimin e kërkesës. -Caktimin si masë sigurimi ndalues ndaj personit nën hetim Armando Duka, atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Asambleja e FSHF u pezullua nga Gjykata për shkak të hetimeve të nisura për manipulime me zgjedhjet, duke vendosur shtyrjen e tyre deri në hetimin e plotë të çështjes. Përmbaruesi ka ekzekutuar vendimin e gjykatës kundër presidentit të federatës duke ndaluar asamblenë e paligjshme që mendon të zhvillojë FSHF.
Gjykata pranoi kërkesën për sigurimin e padisë duke urdhëruar përmbarimin për ekzekutimin e vendimit dhe urdhëroi pezullimin e efekteve juridike të vendimit nr.1, datë 10.01.2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
Kundërshtimi i zbatimit të saj, sipas gjykatës përbën vepër penale, duke paralajmëruar drejtuesit e lartë të FSHF-së me ndjekje penale.