Gjykata e Tiranës ka pranuar zyrtarisht ndryshimin e emrit, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në Partia e Lirisë.
Me vendimin e gjykatës, tanimë janë regjistruar edhe strukturat e reja të partisë, kryetari i së cilës është Ilir Meta dhe zëvendës kryetar, Agim Nesho.
Pas vendimit të gjykatës, pritet që këto ndryshime t’i përcillen edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si subjekt i interesuar.
Komiteti organizator i Partisë së Lirisë pritet të ketë së shpejti një mbledhje për të përcaktuar datën e punimeve për Konventën Kombëtare.
Vendimi për ndryshimin e partisë, u mor në Konventën Kombëtare të kësaj force politike më 25 korrik, ku u vendos ndryshimi i logos dhe shkrirjes së të gjitha forumeve.