Një emigrant nga Bangladeshi me astmë arriti të shmangë deportimin nga Franca pasi një gjykatë vendosi që ndotja në vendin e tij të lindjes do të përkeqësonte gjendjen e tij shëndetësore dhe me shumë mundësi do t’i shkaktonte atij vdekjen.
Gjykata e Apelit në Bordeaux vendosi muajin e kaluar se 40-vjeçari asmatik do të përballej me një përkeqësim të patologjisë së tij të frymëmarrjes për shkak të ndotjes së ajrit nëse do të dëbohej në Bangladesh.
Ekspertët besojnë se ky mund të jetë rasti i parë në botë kur dikush i detyruar të largohet nga shtëpia e tij ka fituar të drejtën të vendoset në një vend të ri, në mënyrë efektive për arsye mjedisore.
Avokati i refugjatit, Ludovic Rivière, tha për mediat britanike: ”Për dijeninë time, kjo është hera e parë që një gjykatë franceze aplikon mjedisin si një kriter në një rast të tillë. Ajo vendosi që jeta e klientit tim do të rrezikohej nga cilësia e ajrit në Bangladesh”.
40-vjeçari u arratis nga persekutimi në Bangladesh dhe mbërriti në Francë në 2011, duke u vendosur në Tuluzë ku punoi si kamerier përpara se t’i jepej një leje qëndrimi e përkohshme si një shtetas i huaj që kërkonte kujdes mjekësor.