Aktualitet Gjykata i fali vrasësit të biznesmenit në Vlorë 7 vjet burg, vettingu...

Gjykata i fali vrasësit të biznesmenit në Vlorë 7 vjet burg, vettingu shkrin gjithë trupën

Eduart Xhezo i dënuar në 2009 për disa vepra penale është njëri nga autorët e vrasjes së Arben Beqirajt ditën e diel dhe plagosjes së Egert Beqirajt e Nesim Hodajt të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Por për çfarë u dënua Eduart Xhezo dhe si arriti që të dilte nga burg? Në 2005 kur punonte si tregtar zarzavatesh ai u akuzua se tentoi që të vriste dy persona pas një konflikti.

Ai u konfliktua me Skënder dhe Klodjan Ramën (babë e bir) për çmimet e patateve, ndërsa goditi djalin me gur në kokë. Po atë ditë Kreshnik Rama, i cili është djali i Skënder Ramës dhe vëllai i Klodjan Ramës pa pasur dijeni se çfarë kishte ndodhur shkoi të furnizohej, ndërsa bashkë me atë ishte edhe Bledar Mustafai.

Eduart Xhezo duke kujtuar se të dëmtuarit kishin ardhur të vazhdonin grindjen e familjarëve të tij me të cilët ai ishte përplasur dy orë më parë, ka marrë një armë automatike të cilën ai e mbante pa leje dhe në momentin që furgoni ka ndaluar është afruar dhe në një distancë rreth 7-8 m ka qëlluar në drejtimin e poshtëm të derës së shoferit afër parafangos së makinës dhe pjesës që mban mallra. Nga breshëria u plagos Bledar Mustafai.

Pas 5 vitesh arrati Eduart Xhezo u arrestua, ndërsa gjykata e shkallës së parë në Vlorë e dënoi me 13 vite (përfundimisht 9.4 vite me gjykim të shkurtuar), që u la në fuqi edhe nga Apeli. Por Xhezo nuk u pajtua me vendimin e dërgoi në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë me trupë gjyqësore në 2012 që përbëhej nga; Gani Dizdari kryesues dhe anëtar, Aleksandër Muskaj, Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi dhe Artan Zenelin e ndryshuan duke i hequr 7.4 vite burg.

Në përfundim të gjykimit Gjykata e Lartë i hoqi akuzën për tentativë vrasje të dy personave dhe e dënoi me 2 vite burg vetëm për armëmbajtje dhe kanosje. Pas faljes së 7.4 viteve burg, Xhezo la qelinë duke fituar lirinë. Por të gjithë trupën që i fali 7.4 vite burg vlonjatit e shkarkoi Vettingu. Gani Dizdari që ishte kryesues u shkarkua në 13 shkurt 2018, po ashtu edhe Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli, ndërsa Aleksandër Muskaj nuk pranoi që t’i nënshtrohet vettingut duke u larguar.