Kryesore Gjykata Kushtetuese jep vendimin: Jo përgjimeve të qytetarëve nga policia

Gjykata Kushtetuese jep vendimin: Jo përgjimeve të qytetarëve nga policia

Gjykata Kushtetuese ka dhënë këtë të hënë vendimin për ligjin për Policinë e Shtetit.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar nenin për përgjimin e qytetarëve nga policia pa autorizimin e prokurorisë dhe gjykatës.

“Kushtetuesja” vlerëson se ky nen në ligjin për Policinë e Shtetit është i papajtueshëm me Kushtetutën. Ligji u ankimua nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Vendimi:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:

– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues  “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesave.

2. Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.

3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.