Aktualitet Gjykata Kushtetuese mbyll hetimin për Butrintin: Ja ku merret vendimi

Gjykata Kushtetuese mbyll hetimin për Butrintin: Ja ku merret vendimi

Gjykata Kushtetuese mbylli sot hetimin gjyqësor për çështjen e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe shtyu vendimmarrjen deri më 30 nëntor.

Gjykata bëri të ditur se, deri në atë datë palët e interesuara mund të paraqesin një material të pritshëm me vlerësimet nga UNESCO për këtë çështje.

Një grup prej 36 deputetësh i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e atij Parku Kombëtar, bazuar në një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.

Gjykata Kushtetuese vazhdoi sot shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh opozitarë për ta shfuqizuar si antikushtetues ligjin për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Gjykata mori sot 3 kërkesa; për shtesë e saktësim të objektit në gjykim, shtyrje të vendimit dhe për largim nga trupa gjyqësore të tre prej gjyqtarëve.

Këtë kërkesë të fundit gjykata e rrëzoi, ndërsa mbylli hetimin gjyqësor dhe e shtyu vendimmarrjen deri më 30 nëntor.

Avokati Agron Alibali, përfaqësues i grupit të deputetëve kërkues opozitarë, thotë për Zërin e Amerikës që shteti shqiptar ka dëshmuar qartë se zotëron aftësi dhe kapacitete të plota për ta menaxhuar vet Butrintin.

“Ky model kontrolli, menaxhimi dhe posedimi nga një fondacion privat i Parkut Kombëtar të Butrintit është i pashembullt në botë dhe vjen në kundërshtim me Konventën e UNESCO-s në Paris, e cila është ratifikuar nga 195 vende anëtare të OKB-së”, thotë zoti Alibali.

Ai theksoi se krahas shkeljeve kushtetuese, vlerësimi i UNESCO-s për çështjen e Parkut të Butrintit është me rëndësi thelbësore, dhe pikërisht këto ditë është duke zhvilluar një nga forumet e veta.

“Ndryshe nga sa mendohet që këtu kemi të bëjmë vetëm me një administrim të pasurisë në një kuptim të ri hibrid, kjo nuk është thjesht në kuptimin e fjalorit të gjuhës shqipe kujdesje, përkujdesje për një pasuri e të tjerë. Këtu në fakt kemi të bëjmë me marrje në posedim, në kontroll, në shfrytëzim dhe në prezantim. Pra janë të gjithë këto funksione që i takojnë shtetit palë, i cili duhet të ketë rol parësor, sipas nenit 4 të Konventës së Parisit”, thotë zoti Alibali.

Në seancën e sotme gjyqësore kishte përfaqësues nga Avokati i Popullit dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilët e lanë në vullnetin e gjykatës vendimin për kërkesat e reja të avokatit të deputetëve.

Krahas kërkuesve opozitarë, ishin në seancë përfaqësues nga Kuvendi, nga qeveria, dhe nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit.

Ata u shprehën se kërkuesit e procesit po vinin me një seri kërkesash të reja, me një strategji vonesash, për të shkaktuar shtyrjen dhe zvarritjen e kësaj çështje të ndjeshme.

Menaxheri i projektit të Butrintit në Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Ilir Parangoni, tha për Zërin e Amerikës se ky fondacion po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe respekton vendimin e saj për çështjen e Butrintit.

Ai theksoi AADF është duke mbështetur ministrinë e Kulturës në përpjekjet e saj për krijimin e modeleve të reja të menaxhimit për sitet kulturore, qendrat historike, parqet arkeologjike si dhe muzetë, ku përfitues kryesor është komuniteti vendor.

“AADF ka ndihmuar në këtë kuadër me fonde, me grante ministrinë e Kulturës në lidhje me qendrat historike, si Pazari i Korçës, Pazarit të ri të Tiranës, Qafë Pazarit të Gjirokastrës, si dhe shumë qendra të tjera historike dhe arkeologjike. Po ashtu edhe për Butrintin. Është i njëjti model, që do të aplikohet në miradministrimin e pasurisë kulturore arkeologjike të Butrintit”, tha zoti Parangoni.

Zoti Parangoni detajoi se Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit nuk ka marrë ende nën administrim sitin kulturor të Butrintit, përderisa çështja është ende në Gjykatën Kushtetuese.

Ai shtoi se miradministrimi i Butrintit përballet me sfida të reja si numri i madh i vizitorëve, ndryshimet klimaterike, duke qenë pranë detit.

“AADF as nuk merr​ as nuk jep me koncesion pasuri kulturore, që janë nën shtetin shqiptar, që administrohen nga shteti shqiptar. Të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen në Butrint do të qëndrojnë në Butrint. Modeli i ri ka për bazë, që të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga turizmi dhe nga vizitueshmëria e sajtit do të qëndrojnë në Butrint, për t’u investuar në Butrint pa marrë pas as edhe një qindarkë”, tha zoti Parangoni.

Ligji mbi marrëveshjen e ministrisë së kulturës me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit u miratua nga Kuvendi 18 muaj më parë mes debateve të ndezura në Kuvend, ndërsa Gjykata Kushtetuese e regjistroi kërkesën e deputetëve opozitarë plot një vit më parë, ndërsa janë zhvilluar disa seanca në janar, shkurt, korrik, tetor dhe tani në nëntor.

Ligji shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi privat i kësaj forme.

Qeveria beson se ky ligj është një hap me rëndësi për mirëmenaxhimin e Parkut. Ministria e Kulturës dhe AADF themeluan Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Marrëveshja parashikon plotësimin e standardeve të UNESCO-s për mbrojtjen, konservimin dhe ruajtjen e parkut, si dhe investimin edhe 5 milionë dollar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit./VOA