Ka zgjatur rreth 3 orë seanca e tretë në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pasi palët dhanë konkluzionet e tyre përfundimtare,
Gjykata Kushtetuese mbylli seancën dhe është tërhequr për vendim. Vendimi i arsyetuar do të jepet me shkrim brenda 30 ditëve.
Në përfundim të seancës kanë folur për mediat përfaqësuesit e Presidentit Meta dhe të Kuvendit.
Këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj tha se Kuvendi ka depozituar prova shkresore të manipuluara. Për këtë çështje ai tha se Presidenti do t’i drejtohet prokurorisë.
“Për fat të keq u provua edhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike edhe së fundmi depozitoi prova shkresore të manipuluara vetëm me qëllimin që t’i rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh me Presidentin, për një çështje me kaq rëndësi, për një çështje që nuk duhet të ekzistonte dhe pa lëndë imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organet e tjera fundore. Kështu që Presidenti ka vendosur t’i drejtohet organi të prokurorisë lidhur me këtë çështje, ashtu sikundër është e drejta e Kuvendit të fillojë një procedurë hetimore parlamentare për këtë shkak që evidentuam para gjykatës. Ashtu sikundër është në të drejtë të gjykatës që të marrë një vendim, por që duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe ligj”, tha Dervishaj.
Përfaqësuesi ligjor i Metës tha më tej se akuza do të jetë “për manipulimin e provës shkresore të sjellë nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 4 Shkurt 2021”. Dervishaj u shpreh se fajtor është ai që tenton të përdorë provën.
Ndërkohë, Taulant Balla kërkoi që të respektohet pavarësia e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimet për rrëzime ose pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ju dhe ne kemi detyrimin që nga ky moment që është mbyllur procesi i gjykimit dhe gjykata është tërhequr për të marr vendim të respektojmë atë që është më e rëndësishme në këtë proces, pavarësia e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit ashtu siç parashikohet edhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë dhe presidentin e Republikës, përfshirë partitë politikë të ruajmë atë që do ta quaja “heshtje” institucionale derisa gjykata Kushtetuese brenda afatit 30 ditor. I gjithë ky proces ka qenë shumë i mirë dhe i shëndetshëm kushtetues për cilësinë e demokracisë në Shqipëri”, tha Balla.