Gjykata Kushtetuese ka vendosur pushimin e çështjes për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Në vendimin e publikuar në faqen e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se kërkesa e opozitës për heqjen e mandatit të Xhaçkës rrëzohet me argumentimin se kjo kërkesë duhet të kalojë më parë nga Kuvendi, pra Parlamenti i Shqipërisë duhet të pranojë kërkesën e opozitës për ta dërguar në Kushtetuese ligjshmërinë e mandatit.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka shpallur edhe anti-kushtetuese vendimin e socialistëve në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet që vendosën mos ta dërgojnë në Kushtetuese ligjshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 18.01.2023, në orën 13:45, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 10 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “1. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 2. Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka””.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
- Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.
- Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI
Pushimin e gjykimit të çështjes.