Aktualitet Gjykata lë në burg shoferin e autobusit. Dalin nga spitali 26 persona...

Gjykata lë në burg shoferin e autobusit. Dalin nga spitali 26 persona që u plagosën në Kroaci

26 qytetarë të Kosovës që mbetën të plagosur në aksidentin e së dielës në Kroaci, kanë lënë spitalin dhe do të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, i cili konfirmoi gjithashtu se 15 persona të tjerë anë duke u trajtuar ende, ndërkaq njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Sipas tij, të lënduarve që kanë dalë nga spitali dhe pjesës tjetër të udhëtarëve do t’iu sigurohet transporti përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut.

Ndërkohë që paraditen e kësaj të marte gjykata e Qarkut në Slavonski Brod vendosi të lërë në paraburgim për 30 ditë shoferin e autobusit. Gjykatësi i rastit, Mille Solldo, deklaroi për media se paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut që i dyshuari mund të arratiset.

Ai ka shtuar se Kroacia ka marrëveshje bashkëpunimi me Kosovën në çështjet penale, ndonëse ajo nuk parasheh edhe ekstradimin e shtetasit kosovar, prandaj edhe është caktuar masa e paraburgimit.

Gjykatësi Solldo ka thënë se gjatë ditës së martë, pritet të merren në pyetje edhe disa dëshmitarë të tjerë okular.

Nëse shoferi shpallet fajtor për aksidentin e rëndë ai rrezikon deri në 15 vite burgim.

Si pasojë e aksidentit të së dielës në Slavonski Brod, humbën jetën 10 persona, ndërsa mbi 40 të tjerë u plagosën.

Autobusi udhëtonte nga Frankfurti në drejtim të Prishtinës dhe në bord kishte 67 pasagjerë.

Shkak për këtë aksident dyshohet se është bërë përgjumja e shoferit, çka ka solli dhe daljen e autobusit jashtë rruge.