Gjykata e Elbasanit ka dhënë këtë të shtunë masat e sigurisë për shokun dhe të dashurën e Nuredin Dumanit.
Për Henrik Hoxhajn, gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg. Prokuroria e akuzon atë për veprën penale të vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Hoxhaj u kap më 29 Mars, para pallatit ku strehohej Nuredin Dumani, i cili ishte i plagosur. Në momentin e arrestimit, atij i është gjetur edhe një pistoletë.
Ndërkohë për të dashurën 20-vjeçare të Nuredin Dumanit, Mirjetë Hajdini, e cila akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit, gjykata ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Hajdini, ka deklaruar në seancën gjyqësore se është gënjyer nga Dumani. Autori i dyshuar i disa ngjarjeve të rënda kriminale i ka thënë asaj që ishte 27 vjeç. Hajdini ka thënë se kishte kohë që jetonte me Dumanin dhe nuk i dinte lidhjet e tij kriminale.
Avokati i saj tha se e njihte Dumanin me një tjetër identitet.
Pavarësisht masës ajo është e lirë të shkojë në Kosovë, megjithatë do të duhet që të paraqitet edhe në Gjykatën e Elbasanit sipas procedurave.
Ndërkohë ditën e nesërme do ta dalin për masë sigurie dy mjekët dhe ndihmësmjeku që kuruan Nuredin Dumanit pas plumbave që mori në Papër të Elbasanit. Prokuroria e akuzon se ishte nisur për të kryer një atentat në Elbasan, por rrugës i bënë i pritë.