Një vendim të duhur ligjor, që shkon në logjikën e Gjykatës Kushtetuese, e ka cilësuar Gazment Bardhi vendimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të hequr masën e sigurisë arrest shtëpie ndaj Sali Berishën.
Bardhi deklaron mes të tjerash se për më shumë se 1 vit, lideri i opozitës u pengua të ushtronte aktivitetin e tij politik dhe kjo gjë është e rëndë.
“Revokimi nga GJKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës.
Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitoi”, shkruan Bardhi.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për lirimin e kryedemokratit Sali Berisha nga ‘arresti i shtëpisë’.
Përmes një deklarate për mediat, Noka tha se Berisha e ka paguar çmimin e lirisë shumë shtrenjtë, me izolimin e tij të padrejtë.
Ai tha gjithashtu se falë qëndresës së demokratëve, opozita e cila sipas tij ka qenë nën një agresion gjatë këtyre kohëve, mbijetoi dhe po bëhet edhe më e fortë.
“Edhe vetë Zoti e ka zbukuruar këtë ditë. Kjo ditë ka një domethënie, liria gjithmonë ka një çmim. Berisha e ka paguar me pa të drejtë çmimin e lirisë, më shumë se çdokush tjetër në këtë vend. Demokratët kaluan në një kalvar të pashoq gjatë këtyre viteve.
Drejtësia në duart e Soros bëri gjithçka që ta eliminonte PD. Sot lideri i PD është i lirë falë qëndresës së demokratëve, falë të vërtetës, falë luftës së tyre.
E vërteta gjithmonë vonon por kurrë nuk harron. Presioni i opozitës dhe qytetarëve të këtij vendi e detyroi më në fund edhe narkodrejtësinë që t’i japë fund një sage vuajtjeje dhe izolimi për liderin e PD”, tha Noka.