Gjykata Administrative e Tiranës hodhi poshtë kërkesën e qeverisë për ndryshimin e hapësirës territoriale të shpalljes së Malit të Tomorrit si pasuri kombëtare, duke lejuar kështu aktivitetin privat të guroreve të operojnë në atë zonë.
Ky vendim ngriti në protestë banorët e Beratit, ndërsa me ta u bashkua dhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi.
“Me disa truke ligjore dhe disa truke të procedurës duan të vazhdojnë të mbrojnë interesat e një komuniteti në Malin e Tomorit që kanë 20 vite që e shkatërrojnë atë pasuri të përbashkët”, tha Klosi.
Katër gjyqtarët Amarildo Laçi, Bari Shyti, Arkelino Gazidede dhe Fjoralba Shehu do të përballen me peticionin e qytetarëve, i cili pritet të ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Lartë.
PD: Lejet e guroreve janë miratuar nga qeveria
Të turpshme dhe tallëse e cilësoi daljen publike të ministrit Blendi Klosi kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi.
Sipas këtij të fundit, protesta e ministrit Klosi për vendimin e gjykatës është një shfaqje e organizuar me militantë. Malltezi thotë se VKM-ja për zgjerimin e parkut të Tomorrit një vit më parë është miratuar pa ndjekur asnjë procedurë dhe lejet për zhvillimin e aktivitetit të guroreve janë dhënë dhe rinovuar herë pas here nga qeveria “Rama”, arsye se përse, sipas tij, bizneset fituan gjyqin me qeverinë.
Malltezi aludon se qëllimi i vërtetë i qeverisë nuk ka qenë zgjerimi i Parkut të Tomorrit. Nëse kjo e fundit kishte vërtetë qëllim zgjerimin e tij, sipas Malltezit, duhet të anulonte lejet dhe licencat e lëshuara nga socialistët, të hapte proces konsultimi publik sipas ligjit dhe ndryshimin e përdorimit të tokës ta kalojë në Këshillin Kombëtar të Territorit, siç e kërkon ligji.