Kuvendi ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për pushimin e hetimeve për dosjen e njohur të privatizimit të kompanisë OSSHE tek çekët e “CEZ”.
Kryetari i grupi parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi këtë të premte se prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim përpara se të arrinte në këtë vendim, ndërsa vendimi i gjykatës nuk është i mbështetur në ligj.
“Kemi paraqitur pranë Gjykatës së Apelit kërkesën për ta rishqyrtuar dhe për ta arsyetuar se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk ka kryer asnjë prej veprimeve të domosdoshme hetimore para se të arrinte në këtë vendim dhe se akti i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i pambështetur në ligjin procedurial dhe atë material në zbatim të afateve proceduriale të depozituara në ankimin e Gjykatës së Apelit Tiranë”.
Balla tha se as prokuroria dhe as gjyqtari i çështjes nuk kanë bërë asnjë analizë minimale të fakteve.
“Dosja “CEZ” është një prej dosjeve më të rëndësishme dhe më të zeza të korrupsionit në Shqipëri. Do doja të ftoja këdo që ka pak njohuri juridike ta lexojë me vëmendje vendimin e gjykatës. Gjykata mund të ketë bërë një dezertacion për shpjegimin e termave dhe veprave penale, por asnjëherë nuk ka analizuar faktet. Gjyqtari ka shpjeguar se çfarë nënkuptojnë termat, emërtesat e veprave penale, por asnjëherë nuk është bazuar në fakte”.