Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë vendimin në lidhje me ankesat e partive për një pjesë të kandidatëve për deputetë, të cilët nuk u lejuan të garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kështu, Supremja i ka ndaluar Albin Kurtit të kandidojë si deputet, ndërsa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që Liburn Aliun dhe Labinotë Demi-Murtezajt, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.
“Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.
Gjykata në vendimin e saj shkruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të afatit të dënimit 3-vjeçar për disa deputetë, ndaj ka vendosur t’i pranojë në garën e 14 shkurtit.
“Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, theksohet më tej.
Ankesat e partisë Nisma Socialdemokrate për certifikimin e kandidatëve nuk janë pranuar nga Gjykata Supreme, e cila ka lënë në fuqi vendimin e KQZ-së dhe PZAP-së. Dymbëdhjetë kandidatë për deputetë nga kjo parti nuk u lejohet gara në zgjedhje.
“Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nisma, është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e Supremes.