Gjykata e Posaçme është tërhequr në dhomën e këshillimit për të marrë vendimin përfundimtar ndaj Alfred Belerit. Në fjalën e tij, Alfred Beleri kërkoi drejtësi dhe nuk e gjente veten fajtor për asnjë akuzë.
“E kuptoj shumë mirë që jeni nën presion të vazhdueshëm, por ky nuk është faji im. Është çështja e bashkisë Himarë, që nuk duan ta zgjedhin me votë, por me sajesa. Konkluzionet e SPAK nuk mund t’i merrni parasysh”, tha ai.
Beleri ka theksuar se Prokuroria ka sajuar prova, për të fshehur gabimet e policisë.
“Nga vëzhgimi 24 orësh që më është bërë, ka rezultuar se nuk jam takuar asnjëherë me dëshmitarin e prokurorisë. Të gjitha të vërtetat do të dalin në dritë. Keni shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, të procesit të rregullt ligjor dhe të barazisë para ligjit. Vendimi për dënimin tim është marrë ne drejtorinë e policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendim politik ishte edhe moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me 2 vjet e 6 muaj burg është diskriminues. Të tjerë kryetar bashkish të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë. Sot, ju duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, jo dënimit pa prova, jo vendimit diskriminues.
Ju mund të jepni një vendim me rëndësi historike. Pres drejtësi!”, përfundoi Beleri.