Një gjykatë turke dënoi të mërkurën kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivalin kryesor të presidentit Tajip Erdogan, me më shumë se dy vjet burg, si dhe i ndaloi atij zhvillimin e aktiviteve politike, nën akuzat për fyerje të zyrtarëve publikë. Vendimi pritet të dërgohet në gjykatën e Apelit.
Ky zhvillim vjen vetëm gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të planifikuara presidenciale dhe parlamentare. Imamoglu shihet si kandidat i fortë përballë presidentit Erdogan. Megjithatë opozita turke nuk e ka përcaktuar ende zyrtarisht kandidatin e saj për president.
Zoti Imamoglu, nga Partia Popullore Republikane (CHP), u gjykua për një fjalim të mbajtur pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019 në Stamboll, gjatë të cilit ishte shprehur se ata që anuluan rezultatin e zgjedhjeve ishin “budallenj”. Akuza parashikonte një dënim maksimal prej katër vitesh.
Imamoglu, i fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet për kreun e bashkisë së Stambollit, zgjedhje që u mbajtën në mars të vitit 2019. Ai mposhti kandidatin e Partisë AK në pushtet të zotit Erdogan. Pas anulimin të rezultateve që çuan në përsëritjen e procesit zgjedhor, ai fitoi me rezultat më bindës. Fitorja e tij i dha fund kontrollit 25-vjeçar të qytetit më të madh të Turqisë, nga partia e zotit Erdogan dhe paraardhësit e saj islamikë.
Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2023 do të varet nga aftësia e partisë opozitare CHP si dhe të tjerave forcave politike në opozitë për t’u bashkuar rreth një kandidati të vetëm, me synimin për të sfiduar presidentin Erdogan dhe AKP-në, e cila qeveris Turqinë prej dy dekadash.
Tashmë çështja Imamoglu pritet t’i kalojë apelit, duke u zgjatur potencialisht përtej zgjedhjeve që mbahen në qershor të vitit 2023. Kritikët thonë se gjykatat turke i nënshtrohen vullnetit të zotit Erdogan megjithëse qeveria pretendon se gjyqësori është i pavarur.