Një gjykatës brazilian ka urdhëruar Presidentin Jair Bolsonaro që të vendosë një maskë në publik, sipas një vendimi të gjykatës të lëshuar të martën, pasi populisti i krahut të djathtë ishte pa maskë në dy mitingje politike në kryeqytet, raporton Reuters.
Gjykatësi federal Renato Borelli tha se Bolsonaro do të gjobitej me 2 000 reais në ditë (387 dollarë) nëse ai vazhdonte të mos i bindej një dekreti nga Rrethi Federal i kryeqytetit Brazilia, për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Brazili është vendi i dytë më i prekur rëndë në botë pas Shteteve të Bashkuara, dhe të dielën, me më shumë se një milion raste infeksioni, kaloi zyrtarisht pragun e 50,000 vdekjeve të lidhura me COVID-19.
“Trump-i tropikal”
Bolsonaro, i njohur gjithashtu si “Trump-i tropikal”, shpesh është shënjestra e kritikave për mënyrën se si ai menaxhon krizën e koronës.
Presidenti brazilian po vazhdon të zvogëlojë shkallën e epidemisë, duke mbrojtur hapjen e ekonomisë dhe tashmë ka shkarkuar dy ministra të Shëndetësisë dhe ka emëruar një ish-gjeneral në post, i bindur se ai do të udhëheqë mirë sektorin.
Bolsonaro e sheh distancimin shoqëror si një masë që është më shkatërruese për ekonominë sesa vetë virusi.