Edhe pse dy fitoret radhazi në Ligue 1 qetësuan disi situatën, sërish PSG nuk gjen paqe. Tashmë, shënjestër është bërë presidenti i kampionëve të Francës, Nasser Al-Khelaifi, i cili mund të përfundojë në burg.
Sipas agjencisë së lajmeve “Keystone ATS”, drejtësia zvicerane ka kërkuar 28 muaj burgim për Al-Khelaifi, pasi akuzohet për ryshfet.
Al-Khelaifi, gjithashtu president i “BeIN Media”, akuzohet për ryshfet ndaj Jerome Valcke, ish-nënkryetar i FIFA-s, për të marrë të drejtat televizive të Kupave të Botës 2026 dhe 2030. Ndërkohë, për Valcke është kërkuar një burgim prej 3 vjetësh.
Gjyqi për këtë çështje nisi disa muaj më parë në Gjykatën Federale Penale në Bellinzona të Zvicrës, ndërsa vendimi pritet të dalë më 30 tetor.