Aktualitet Gjykatësja Mimoza Margjeka dënohet me 3 vite shërbim prove

Gjykatësja Mimoza Margjeka dënohet me 3 vite shërbim prove

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dënuar me 3 vite shërbim prove gjykatësen Mimoza Margjeka, e cila u akuzua se kishte marrë 6 mijë euro ryshfet për të liruar një person të arrestuar për transport emigrantësh.

Ndër të tjera, Margjeka është dënuar edhe që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Ndërsa bashkëshorti i gjykatëses së Korçës, Arben Cara, u dënua me 4 vite burg. Sipas akuzës, ky i fundit ishte personi që kishte marrë paratë për t’ia dhënë gruas së tij gjykatëse.

Pas daljes nga seanca gjyqësore, Mimoza Margjeka ironizoi këtë vendim dhe tha se e priste.

“Unë u dënova, unë jam e kënaqur. Këta që më dënuan janë të mërzitur. Po të ndodhte e kundërta do çuditesha, nuk e kanë çuar ata deri në fund? Dështuan ata? Më të fortit? Që kanë krimin, mafian? Nuk ju besoj më institucioneve. Unë e di që këta njerëz sot kanë qenë të impresionuar dhe të porositur. Më vjen keq për ta. Për mua familja ime do e gjejë një zgjidhje. Nuk u përmbys bota. Më dënuan mua, s’është fundi i botës. Shyqyr që nuk është koha e Enverit që i varnin, se gjynah për fëmijët. Për të tjerat, do ia dalim, do ia dalim”, tha Margjeka.

Klaudio Zhilla u dënua me 3 vite burg. Skënder Demijraj me 3 vite shërbim prove dhe Nejton Bali me 2.4 vite shërbim prove.