Një gjyq i pazakontë është zhvilluar në gjykatën e Tiranës, ku personi i akuzuar për përndjekje dhe pala e dëmtuar, janë martuar në sallën e gjykimit.
Dy të rinj që ishin përfshirë në një konflikt gjyqësor janë dashuruar në sallën e gjyqit me njëri-tjetrin, ku dhe kanë shfaqur para gjykatës se tashmë ishin të martuar dhe nuk kishin asnjë mosmarrëveshje mes tyre.
Vajza Elifara Ahmetaj, e cila në janar 2019 kishte denoncuar në prokurori përndjekësin e saj Shefqet Pashaj për akuzën e përndjekjes, ka shfaqur para gjykatës pëlqimin se djalin e marrë të pandehur nga prokuroria e dashuron dhe me të ishte martuar.
Në kallëzimin e saj vajza ka deklaruar se ata kanë qenë të lidhur në një marrëdhënie dashurie me njëri-tjetrin, përreth tre vjet dhe para dy muajsh janë ndarë.
Elifara Ahmetaj ka pohuar se pas ndarjes Shefqet Pashaj, e ka dhunuar atë psikologjikisht, duke i shkuar te vendi i punës, duke i dalë në rrugë dhe siç shprehet ajo, është ndjerë e terrorizuar.
Ai ka kërkuar që ajo të rikrijojë marrëdhënien e dashurisë me të, fakt të cilin ajo nuk e pranonte.
Nisur nga kallëzimi i Elifarës dhe veprime të tjera hetimore, Shefqet Pashaj, është marrë i pandehur për akuzën e “Përndjekjes” dhe çështja kundër tij është dërguar për shqyrtim në gjykatë.
Rasti në fjalë nuk i ngjason aspak natyrës së çështjeve penale që zhvillohen në gjykatën e Tiranës, pasi teksa zhvillohej gjyqi, vajza e dëmtuar ka pohuar se me të pandehurin janë martuar dhe kanë krijuar një familje. Gjatë dhënies së pretencës së prokurorit Ervin Karanxha ky i fundit i kërkoi gjykatës që të ketë parasysh se “…nga kushtet që viktima e i pandehuri janë martuar me njëri-tjetrin, çka tregon një rrezikshmëri të ulët shoqërore të veprës penale, duhet të caktohet një masë e tillë dënimi që të mos dëmtojë familjen e re e cila është krijuar tani…”.
Prokurori Karanxha kërkoi që Shefqet Pashaj të dënohet me 100 orë punë të detyrueshme, kërkese e cila është pranuar nga trupi gjykues./Shqiptarja.com