Seanca gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit ka kaluar mes tensioneve të shumta ku nuk kanë munguar replikat mes të akuzuarve dhe prokurores së çështjes.
Prokuroria ka paraqitur provat shkresore e ndërsa janë kundërshtuar nga pala mbrojtëse të cilët e kanë konsideruar si një burgim të kotë.
Ndërkohë, prokuroria ka deklaruar se fillimisht u hetuan dy grupe kriminale, hetime këto të cilat nisën në muajin shkurt të viti 2016.
Avokati i të akuzuarve tha se prokuroria me provat që paraqiti nuk po bën punën siç duhet, duke i cilësuar materialet shkresore si prova të marra nga Google.
Nga ana tjetër prokurorja Elizabeta Imeraj iu përgjigj duke i kërkuar palës mbrojtëse të mos bëjnë rolin e inspektorëve të prokurorisë.
Në debat është përfshirë edhe një nga të akuzuarit Gilmando Dani.
Ai ka ngritur pretendimet se po mbahen pa asnjë arsye në burg për gati 2 vjet.
Gilman Dani: Po mbahemi dy vite në burg kot!
Imeraj: S’po të mban prokuroria, je në burg me vendim gjykate apo nuk ta kanë shpjeguar avokatët?
Dani: E di mirë ti pse jam unë në burg.
Ndërkohë Prokuroria ka depozituar edhe 19 faqe prova shkresore, ku sipas organit të akuzës, hetimi ka nisur për 2 grupe.
Mësohet se në shkurt 2016 policia i ka çuar informacion Prokurorisë për veprimtarinë kriminale të Emiljano Shullazit, Lulzim Berishës, Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endri Qyqjan dhe Endri Zelën.
Sipas prokurorisë rezulton se edhe Plarent Dervishaj është i përfshirë në veprimtari kriminale.
Fill pas kësaj shkrese të policisë në vitin 2016 u prangos edhe shtetasi Emiljano Shullazi.